Diaspora

Në kuadër të ndryshimeve të reja që janë bërë me ligjin Nr. 38/2019 dhe në zbatim të nenit 29/1 “Funksionet e bashkive në fushën e diasporës dhe të migracionit”, i cili është shtuar me ndryshimet e reja, Bashkia Vlorë është përgjegjëse për sa më poshtë:

➢    krijimin e strukturës së posaçme për diasporën dhe migracionin, për administrimin e shërbimeve në nivel vendor, si pjesë administrative e njësisë së vetëqeverisjes vendore;

➢    nxitjen e organizimeve, brenda dhe jashtë vendit, për mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm e forcimin e marrëdhënieve me diasporën dhe emigrantët shqiptarë;

➢    dhënien e ndihmës e të informacionit për çështje që lidhen me fitimin e shtetësisë shqiptare;

➢    dhënien e ndihmës e të informacionit për të interesuarit nga diaspora dhe migracioni, për legjislacionin shqiptar në fushën e investimeve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për çështjet e investimeve

➢    koordinimin e bashkërendimin e punës me ministrinë përgjegjëse punët e brendshme, për punët e jashtme dhe për diasporën, për garantimin e dhënies së ndihmës e të informacionit për çështjet që lidhen me diasporën dhe migracionin.”

Kërkesë për fitim shtetësie

Shërbimi elektronik “Kërkesë për fitim shtetësie” në portalin E-Albania u mundëson shtetasve të huaj, me banim brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, të bëjnë një kërkesë për të fituar shtetësi shqiptare. Aplikuesi është i detyruar që pjesën e dokumentacionit i cili kërkohet në orgjinal ta dërgoj nëpërmjet rrugës postare për në Komisariatin e Policisë së Shtetit në territorin ku ai ka vendbanimin.

Kriteret që shtetasit të huaj duhet ti plotësojë që ti lind e drejta për të kërkuar fitimin e shtetësisë shqiptare:

  1. a) ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;
  2. b) ka zotësi juridike për të vepruar;
  3. c) qëndron në mënyrë të ligjshme dhe ka banuar për një periudhë të vazhdueshme për jo më pak se 7 (shtatë) vjet në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe ka përfituar leje të përhershme qëndrimi, të vlefshme në momentin e paraqitjes së kërkesës, sipas ligjit për të huajt;
  4. d) ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë;
  5. e) disponon të ardhura dhe burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë, që përkojnë me standardin minimal të jetesës, të indeksuar çdo vit në lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të parashikuar në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore;
  6. f) nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në shtetin e vet, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike;
  7. g) zotëron njohuri të gjuhës shqipe, të folur e të shkruar, të vërtetuar nga institucioni përkatës arsimor, si dhe njohuritë bazë të historisë së Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë;
  8. h) nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Katër kategoritë për të cilat mund të dërgohet aplikimi janë:

  1. Kërkesë për fitim të shtetësisë me origjinë;
  2. Kërkesë për fitim të shtetësisë me natyralizëm:
  • Kërkesë për fitim të shtetësisë me natyralizëm nga i huaji mbi 18 vjeç me qëndrim të rregullt në Republikën e Shqipërisë;
  • Kërkesë për fitim të shtetësisë me natyralizëm nga persona pa shtetësi;
  • Kërkesë për fitim të shtetësisë me natyralizëm nga të huajt e martuar me shtetas shqiptar; • Kërkesë për fitim të shtetësisë me natyralizëm nga i huaji, fëmija i mitur i të cilit ka shtetësinë shqiptare;
  • Kërkesë për fitim të shtetësisë i fëmijës së dy prindërve që kanë fituar shtetësinë shqiptare me natyralizëm;
  • Kërkesë për fitim të shtetësisë i fëmijës së një prindi që ka fituar shtetësinë shqiptare me natyralizëm;
  1. Kërkesë për fitim të shtetësisë me birësim;
  2. Kërkesë për fitim të shtetësisë nga refugjatet, apo persona me mbrojtje plotësuese.

Baza ligjore: – Ligji nr. 113/2020 “Për shtetësinë”; – Udhëzimi i Ministrit të Brendshëm nr. 65, datë 06.02.2021, “Për përcaktimin e dokumentacionit të nevojshëm për fitimin, heqjen dorë dhe rifitimin e shtetësisë shqiptare, formën dhe mënyrën e plotësimit të kërkesës, të procedurës dhe kryerjen e verifikimeve pranë institucioneve përgjegjëse, si dhe të procedurës dhe dokumentacionit për shtyrjen e afatit për kryerjen e betimit”; – Udhëzimi i Përbashkët i Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme nr. 64, datë 04.02.2021; – Udhëzimi i Përbashkët i Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Ekonomisë dhe Financave me nr 271, datë 01.07.2021, “Për përcaktimin e tarifave të shërbimit për aplikimin për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare”.

Dokumentacioni i nevojshëm

Dokumentacionin e nevojshem për secilin tip aplikimi, mund ta gjeni në portalin e-Albania

Hapat e procedurës

– Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për fitim shtetësie”;

– Klikoni butonin” Përdor”;

– Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular;

– Ngarkoni në formatin PDF të gjithë dokumentet e listuara në formular;

– Klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit;

– Punonjësi i Policisë së Shtetit njoftohet elektronikisht për mbërritjen e dosjes se re dhe nis të verifikojë saktësinë e dokumenteve;

– Nëse dokumentet janë të rregullta, qytetari njoftohet për të dorëzuar me anë të postës dokumentet origjinale;

– Nëse ka pasaktësi ose mungesë dokumentesh, punonjësi i DPPSH-së njofton aplikantin për pasaktësitë dhe e udhëzon për të riplotësuar praktikën e aplikimit; në orarin e caktuar nga punonjësi i ZSHQ-së përkatëse. – Punonjësi i ZSHQ-së përfundon kërkesën.

Përsa i përket legjislacionit në fushën e migrimit, gjithashtu janë të miratuara një sërë ligjesh të cilat synojnë të rregullojnë migracionit në Shqipëri. Ndër ligjet më kryesore në këtë aspekt mund të përmendim:

 

-Ligj Nr. 79/2021 “Për të huajt”;
-Ligj Nr. 10/2021 “Për Azilin në Republikën e Shqipërisë”;
-Ligj Nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”;
-Ligj Nr. 71/2016 “Për Kontrollin Kufitar”, i ndryshuar

-Ligji Nr. 113/2020 “Për shtetësine” Për fitimin e shtetësisë”