Organi ekzekutiv

Procedurat e zgjedhjes , Detyrat dhe Kompetencat e Kryetarit te bashkise :

Kryetari i bashkisë zgjidhet sipas dispozitave të kodit zgjedhor dhe ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” .
Çdo bashki ka kryetarin e saj, të zgjedhur sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor.
Kryetari i bashkisë mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm 3 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë, me të drejtë rizgjedhjeje.
Mandati i kryetarit të bashkisë
Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij.
Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin, sipas formulës së përcaktuar në nenin 50, të këtij ligji, dhe e nënshkruan atë.
Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.
Kryetari i bashkisë   është  organi më  i lartë i bashkisë Shkodër dhe ushtron detyrat e funksionet e përcaktuara në Kushtetutë,Ligjin e Vetëqeverisjes  Vendore, e të tjera  dispozita ligjore.
Sipas Ligjit Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, kompetencat dhe detyrat e kryetarit të bashkisë janë si më poshtë:
a) ushtron të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të bashkisë, me përjashtim të atyre që janë kompetencë vetëm e këshillit përkatës;
b) zbaton aktet e këshillit;
c) merr masa për përgatitjen e materialeve të mbledhjeve për këshillin bashkiak, në përputhje me rendin e ditës së përcaktuar nga këshilli, si dhe për probleme që kërkon ai vetë;
ç) raporton në këshill për gjendjen ekonomiko-financiare të bashkisë dhe njësive administrative përbërëse të paktën çdo 6 muaj ose sa herë kërkohet nga këshilli;
d) raporton para këshillit sa herë kërkohet prej tij për probleme të tjera që kanë të bëjnë me funksionet e bashkisë;
dh) është anëtar i këshillit të qarkut;
e) emëron, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore, zëvendëskryetarin/zëvendëskryetarët e bashkisë dhe i shkarkon ata;
ë) emëron, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore, administratorët e njësive administrative/lagjeve dhe i shkarkon ata;
f) vendos për emërimin ose shkarkimin e anëtarëve të organeve drejtuese të shoqërive tregtare në pronësi të bashkisë, si dhe drejtuesit e ndërmarrjeve e të institucioneve në varësi;
g) emëron dhe shkarkon punonjësit e tjerë të strukturave dhe njësive në varësi të bashkisë, përveç kur parashikohet ndryshe në ligjin për nëpunësin civil;
gj) ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha detyrimeve që i janë ngarkuar bashkisë si person juridik dhe është përfaqësuesi i saj në marrëdhëniet me të tretët;
h) merr masa për kualifikimin dhe trajnimin e personelit të administratës, të institucioneve arsimore, sociale, kulturore e sportive;
i) kthen për rishqyrtim jo më shumë se një herë në këshill vendime, kur vëren se ato cenojnë interesa të bashkësisë. Në rastin e kthimit të vendimit të këshillit nga kryetari i bashkisë, këshilli mund të miratojë të njëjtin vendim vetëm me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve;
j) miraton strukturën, organikën e kategoritë/klasat e pagave për çdo pozicion të shërbimit civil dhe rregulloret bazë të administratës së bashkisë dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
k) emëron dhe shkarkon nëpunësit vendorë për barazinë gjinore;
l) kujdeset për mbledhjen dhe përpunimin e statistikave vendore, të ndara sipas gjinisë, dhe siguron publikimin e tyre.

Te dhena per arsimin , kualifikimet , pagat e kryetarit dhe deklarimet e pasurise :

Dr. Leli i ka kushtuar të gjithë jetën e tij fushës së mjekësisë duke kryer dhjetëra specializime të ndryshme në fushën e radiologjisë dhe mjekësisë bërthamore dhe në vitin 2014 ka marrë gradën Doktor i Shkencave në universitetin e mirënjohur “La Sapienza” të Romës. Ai ka mbrojtur me diplomë edhe tre gjuhë të huaja: Anglisht; Greqisht; Italisht.

Interesi i Dr. Dritan Lelit për mjekësinë ka nisur më shumë se 30 vite më parë, kur ai filloi Shkollën e Mesme Mjekësore “Jani Minga” në qytetin e tij të lindjes, Vlorë. Më pas ai ndoqi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në universitetin e Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1992.

Pas përfundimit të studimeve Dr. Leli i dedikoi jetën karrierës akademike, por pa lënë pas dore ushtrimin e aktivitetit të mjekut. Brenda pak vitesh Dr. Leli arriti të përfundojë specializimin pasuniversitar në Imazheri ne Universitetin e Tiranës dhe më pas në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Athinës. Në përfundim të studimeve ai u bë Bashkëpunëtor Shkencor në Katedrën e Radiologjisë, Universiteti i Athinës.

Në vitet që pasuan Dr. Leli mori diplomën e Studimeve të Thelluara Pasuniversitare në Tiranë dhe kreu specializimin e dytë pasuniversitar në Mjekësinë Nukleare në Universitetin Katolik “Gemelli”, Romë, Itali.

Në vitin 2014 ai mori gradën Doktor i Shkencave (PhD) në Universitetin “ La Sapienza” të Romës, ku u vlerësua maksimalisht.

Gjatë këtyre viteve Dr. Leli ka kryer trajnime të ndryshme në Gjermani; Francë; Austri; Itali; Greqi, Poloni etj. Të gjitha njohuritë e tij janë vënë në shërbim të mjekësisë shqiptare dhe më konkretisht të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.

Punimet shkencore të Dr. Dritan Lelit janë prezantuar në katedra të ndryshme europiane si në Francë; Austri; Itali, Greqi dhe në Çikago të SHBA.

Gjatë të gjithë karrierës së tij Dr. Dritan Leli ka ndërthurur në mënyrë të përkryer studimet e thelluara në fushën e mjekësisë, me ushtrimin e aktivitetit në qendra të ndryshme spitalore në Shqipëri, Greqi dhe Itali.

Adresa e Emailit : Dritan.leli@gmail.com