BASHKIA VLORË NË PARTNERITET ME PROGRAMIN ReLOaD3 SHPALL THIRRJEN E PARË PUBLIKE PËR ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE PËR DORËZIMIN E PROJEKT PROPOZIMEVE NË PROGRAMIN RAJONAL PËR DEMOKRACINË VENDORE NË BALLKANIN PERËNDIMOR 3 (ReLOaD3)

BASHKIA VLORË NË PARTNERITET ME PROGRAMIN ReLOaD3 SHPALL

THIRRJEN E PARË PUBLIKE PËR ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE PËR DORËZIMIN E PROJEKT PROPOZIMEVE NË PROGRAMIN RAJONAL PËR DEMOKRACINË VENDORE NË BALLKANIN PERËNDIMOR 3
(ReLOaD3)

Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 3 (ReLOaD3) është një iniciativë e financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe e zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD). Ky program është vazhdim i nismës së mbështetur më parë – ReLOaD1 dhe ReLOaD2 të zbatuar në periudhën tetë vjeçare 2017-2024 .Faza e tretë e programit ka filluar më 1 Shkurt 2025 dhe gjatë katër viteve të ardhshme do të zbatohet në: Bosnje-Hercegovina, Kosovë* , Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Shqipëri.

Ky program, me një buxhet 13.39 milionë USD financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit III (IPA III) dhe bashkë-financohet nga njësitë e qeverisjes vendore (Bashkitë) dhe PNUD. Buxheti i miratuar për ndërhyrjen në Shqipëri është 1.45 milionë USD. Projekti zgjat 48 muaj (1 Shkurt 2025 – 31 Janar 2029). Qëllimi i përgjithshëm i programit është forcimi i demokracive pjesëmarrëse dhe i procesit të integrimit në BE në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të përshpejtuar të rajonit. ReLOaD3 synon fuqizimin e shoqërisë civile për t’u angazhuar në mënyrë aktive në vendimmarrje dhe mbikëqyrjen qytetare, ndërsa nxit qeveritë të krijojnë një mjedis mbështetës politik, ligjor dhe financiar për shoqërinë civile.

Objektivi specifik i Programit është të forcojë bashkëpunimin midis qeverisjes vendore dhe organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për OSHC-të, të mbështetur nga financimi publik transparent, një kuadër ligjor mbështetës dhe nga rritja e angazhimit qytetar në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave. Duke qenë në fazën përfundimtare, ReLOaD3 synon të kapitalizojë dhe të zgjerojë rezultatet, si dhe të sigurojë qëndrueshmërinë e praktikave të mira të prezantuara gjatë zbatimit të tij. Programi ReLOaD3 do të forcojë kapacitetet e qeverisjes vendore dhe të OSHC-ve për t’u angazhuar në partneritete produktive dhe për të kontribuar në angazhimin qytetar, përmirësimin e planifikimit vendor dhe ofrimin e shërbimeve.

Programi ReLOaD3 do të mbështesë shtatë bashki partnere me një qasje holistike duke filluar nga rritja e kapaciteteve të stafit të bashkisë për ciklin e menaxhimit të projekteve dhe metodologjisë LOD, grant, asistencë teknike gjatë shpalljes dhe zbatimit të thirrjeve publike, asistencë teknike gjatë zbatimit të thirrjeve publike të pavarura si edhe për fuqizimin e angazhimit qytetar në territorin e saj.

Për sa më sipër, Bashkia Vlorë dhe programi ReLOaD3 fton të gjitha OSHC-të në Shqipëri që të paraqesin projekt-propozime që janë në përputhje me objektivat zhvillimor dhe prioritetet e Bashkisë si më poshtë:

1. Turizmi dhe trashëgimia kulturore
2. Rinia dhe Inovacioni Social
3. Mbrojtja e kafshëve dhe mjedisi

Shembuj ndërhyrjesh që mund të mbështeten projekt propozimet sipas secilit prioritet:

Prioriteti 1: Turizmi dhe trashëgimi kulturore

  • Promovimi i turizmit të qëndrueshëm, me fokus në mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e destinacionit dhe rritjen e ndërgjegjësimit komunitar për zonat e mbrojtura.
  • Diversifikimi i ofertës turistike dhe zhvillimi i turizmit gjithëvjetor, përmes produkteve të integruara që lidhin detin, malin, turizmin kulturor, sportiv dhe natyror.
  • Zhvillimi i platformave digjitale, aplikacioneve dhe hartave interaktive, që përmirësojnë aksesin në informacion dhe përvojën turistike në territorin e Bashkisë Vlorë si dhe pasqyrojnë potencialin e territorit në kulturë, art, sport, trashëgimi historike, turizëm detar dhe malor.
  • Promovimi dhe interpretimi i trashëgimisë kulturore dhe historike, përmes projekteve komunitare dhe bashkëpunimeve me aktorë lokalë.

Prioritet 2: Fuqizimi i Rinisë, Kreativiteti Digjital dhe Inovacioni Social

  • Fuqizimi i pjesëmarrjes së të rinjve në jetën publike përmes organizimit të forumeve konsultative dhe aktiviteteve ndërvepruese me të rinjtë; Mbështetje teknike për funksionimin e KVR Vlorë dhe hartimit i planit lokal tё veprimit pёr tё rinjtё 2026- 2031

 

  • Nxitja e vullnetarizmit dhe angazhimit komunitar përmes projekteve komunitare të ideuara dhe zbatuara nga të rinjtë si dhe fushata ndërgjegjësimi për çështje sociale dhe mjedisore
  • Mirëqenia dhe përfshirja sociale e të rinjve përmes aktivitete sensibilizuese për shëndetin mendor dhe programeve sportive, kulturore dhe sociale për përfshirje aktive

Prioriteti 3: Mbrojtja e kafshëve dhe përmirësimi i cilësisë së mjedist

  • Mbrojtja e kafshëve përmes aktiviteteve dhe fushatave që synojnë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e kafshëve të rrugës dhe nismave mbështetwse për qendër pritëse si dhe forcimi i infrastrukturës veterinare.
  • Përmirësimi i cilësisë së mjedisit përmes aktiviteteve dhe fushatave që synojnë ndërgjegjësimin për reduktimin e ndotjes nga zhurmat, cilësisë së ajrit dhe ujit në zonat bregdetare.

 

Shuma e fondeve për projektet e miratuara do të jetë nga 1.000.000 Lekë deri 2.500.000 Lekë.

OShC-të mund të dorëzojnë më shumë se një projekt propozim nëse shuma totale nuk tejkalon shumën prej 7.000.000 Lekë gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit ReLOaD3 (Shkurt 2025 – Janar 2029).

Bashkia rezervon të drejtën të mos i alokojë të gjitha fondet që ka në dispozicion në rast se projekt-propozimet e paraqitura nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara. Kohëzgjatja e secilit projekt duhet të zgjasë nga 6 deri në 10 muaj. Projektet e përzgjedhura do të zbatohen në periudhën nga muaji Qershor 2026 deri në muajin Mars 2027.

PËRSHTATSHMËRIA/PRANUESHMËRIA:

Pjesëmarrja në këtë thirrje publike është e hapur, në baza të barabarta, për të gjitha OShC-të e regjistruara zyrtarisht (shoqata/organizata apo fondacion) në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Shqipëri. Të gjitha organizatat e shoqërisë civile të interesuara mund të gjejnë informacion të hollësishëm rreth kushteve për aplikim si dhe për kriteret për financimin e projekteve në Udhëzimin për Aplikantë (Shtojca 6), pjesë përbërëse e dokumentacionit të thirrjes publike.

 

DOKUMENTACIONI:
Dokumentacioni i aplikimit për thirrjen publike të Bashkisë Vlorë do të jetë i disponueshëm nga data 1 Prill 2026, pas dërgimit të një kërkese me e-mail në adresën info@vlora.gov.al ku duhet të citoni emrin e organizatës së interesuar; ose duke u paraqitur personalisht në Zyrën e Bashkëqeverisjes (Sheshi 4 Heronjtë, Bashkia Vlorë). Të gjitha informacionet e nevojshme, si dhe një version elektronik i paketës së aplikimit mund të gjendet edhe në website zyrtare të Bashkisë (https://vlora.gov.al/) si dhe në website e UNDP (https://www.undp.org/albania).

Sesionet informuese (ditët e hapura për më shumë informacion)
Lidhur me këtë thirrje, për OShC-të e interesuara për të aplikuar në këtë thirrje do të mbahen Sesione informuese në Bashkinë Vlorë me datën 8 Prill 2026 në ora 10:00 te Pallati i Kulturës “Labëria”, salla e mbledhjeve kati i 2- të.

Gjithashtu, pranë Bashkisë Vlorë do të zhvillohet një trajnim mbi ciklin e menaxhimit të projektit dhe një proces mentorimi në grup për të asistuar të gjitha organizatat e interesuara në procesin e shkrimit të projekt propozimit. Trajnimi dy ditor mbi ciklin e menaxhimit të projekteve organizohet në datë 8 dhe 9 Prill 2026 për përfaqësuesit e të gjithë OshC-ve të interesuara për të aplikuar në kuadër të kësaj thirrje. Trajnimi do të fokusohet në paketën e aplikimit të kësaj thirrje, si dhe do të përmbajë njohuri të tjera më të gjera që lidhen me menaxhimin e projekteve. Aktiviteti do të organizohet tek Pallati i Kulturës “Labëria”, salla e mbledhjeve kati i 2-të. Më shumë detaje për këtë aktivitet do të jepen së shpejti nga Bashkia Vlorë nëpërmjet website/mediave sociale.

Ekspertët e ReLOaD do të ofrojnë mbështetje konkrete për OSHC-të nëpërmjet ofrimit të këshillave për shkrimin e projekt-propozimit. Ekspertët e ReLOaD do të jenë të pranishëm online, në datë 16 Prill 2026 për të organizuar sesione trajnimi specifike me organizata të cilat janë në fazën e shkrimit të projekt propozimit, në kuadër të kësaj thirrje. Më shumë informacione për këtë aktivitet do të jepen së shpejti nga Bashkia Vlorë nëpërmjet website/mediave sociale.

Pyetje rreth kësaj thirrje mund të behën përmes adresës reload.al@undp.org, duke iu referuar thirrjes publike. Pyetjet mund të dërgohen deri më 24 Prill 2026, ndërsa përgjigjet do të jepen me shkrim brenda 5 ditëve pune që nga data e pranimit të pyetjeve përkatëse. Për qëllime transparence, përgjigjet do t’u dërgohen gjithashtu të gjithë aplikantëve të mundshëm, ose do të botohen në faqen e internetit të bashkisë dhe/ose UNDP.

LISTA E SHTOJCAVE

Shtojca 6  Udhëzues Për Aplikantët

Shtojca 7 Projekt Propozimi

Shtojca 8  Buxheti

Shtojca 9  Korniza Logjike

Shtojca 10 Plani i Aktiviteteve dhe dukshmërisë

Shtojca 11 Formulari i identifikimit administrativ

Shtojca 12 Formulari i identifikimit financiar

Shtojca 13 Deklarata për plotësimin e kritereve

Shtojca 14 Lista e kontrollit

 Shtojca A Deklarata e partneritetit

Shtojca B Deklarata për shmangien e konfliktit të interesit

Shtojca C Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm

 

DORËZIMI I APLIKIMEVE:

Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në tre (3) kopje fizike dhe një kopje elektronike (USB), të vendosura në një zarf të vulosur mbi të cilin është shkruar referenca e thirrjes publike, përmes postës zyrtare apo personalisht, gjatë ditëve të punës (e hëne – e premte), nga ora 09:00 deri ora 15:00, në adresat në vijim:

Bashkia Vlorë
Sheshi 4 Heronjtë
Vlorë, Shqipëri

Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 4 Maj 2026. Aplikimet e dorëzuara në bashki pas këtij afati do të merren parasysh vetëm nëse vula postare tregon se data dhe koha e dërgimit ka qenë para mbylljes së afatit zyrtar. Pjesa e jashtme e zarfit duhet të përmbajë titullin e thirrjes për dorëzimin e propozimeve, ReLOaD3, emrin dhe adresën e plotë të kandidatit, emrin e plotë të projektit dhe mbishkrimin “Të mos hapet përpara hapjes zyrtare.” Formulari për regjistrimin e dokumentacionit të pranuar lëshohet nga përfaqësuesi i bashkisë. Të gjithë aplikantët që kanë paraqitur propozime, pavarësisht nëse pranohen ose jo, njoftohen me shkrim për vendimin e marrë për projekt-propozimin e tyre brenda 30 ditëve pune nga mbyllja e thirrjes publike. Rezultatet do të publikohen në faqen e internetit të bashkisë, në tabelën e njoftimeve të bashkisë, dhe/ose në faqen e internetit të UNDP-së.

You may also like...