Festivali i 7-të Kombëtar i Iso-Polifonisë, një pranverë shqiptare në Vlorë

25-26 Nëntor 2007
Plot shtatë vjet më parë në Vlorë nisi udhën e tij Festivali Kombëtar i Iso-Polifonisë. Ai zhvillohej çdo messhtatori, i organizuar nga Bashkia Vlorë, në mbyllje të sezonit turistik në këtë qytet, i cili këto vitet e fundit po mban në kokë kurorën e mbretëreshës së turizmit.
Dy vjet më parë, më 25 Nëntor 2005, iso-polifonia u vlerësua nga UNESCO, si trashëgimi gojore e njerëzimit, ndaj Vlora si mbretëreshë e saj e fiksoi Festivalin pikërisht në këtë datë që përkon edhe me javën kuq-e zi të Pavarësisë.
Në Festivalin e shtatë të Iso-Polifonisë, që u zhvillua në sallën e teatrit “Petro Marko”, morën pjesë grupe nga gjashtë qarqe të Shqipërisë si ai i Vlorës, Korçës, Gjirokastrës, Fierit, Elbasanit dhe Beratit. Kjo ngjarje artistike u zhvillua nën kujdesin e Bashkisë Vlorë, Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Qarkut Vlorë dhe Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.
Në natën e parë ky festival pati grupe nga qarku i Fierit, Gjirokastrës dhe Korçës. Këngë tipike polifonike, të një grupi kompakt, ku harmonia e zërave të spikatur e melodiozë përputhej në maksimum me vargjet e ngrohta të këngëve. Ndërsa qarku i Fierit, i cili përcolli në sallën e teatrit “Petro Marko” grupin e Cakranit, Ballshit dhe të Mallakastrës, spikaste nga këngët iso-polifonike të ngjashme me strukturën e traditës së Labërisë, veçse kënga e tyre ishte më e shtruar dhe binte në sy marrësi i këngës dhe jo hedhësi. Që nga motet që nuk mbahen mend Mallakastra ka dhënë dhe ka marrë me Labërinë dhe këngët e shpalosura në këtë festival, kishin ndikime të forta të Labërisë së thellë.
Nga qarku i Korçës, në natën e parë, përveç fustanellave të bardha të Devollit , ra në sy dhe grupi i vajzave të Kolonjës, të cilat kënduan deri në ngashërim një këngë kushtuar një dëshmori, të rënë në krye të detyrës.
Qarku i Elbasanit u ngjit në natën e dytë të Festivalit me grupet e përzgjedhura të. Gramshit dhe të Belshit. Grupi i Gramshit, shkëlqente në fustanellat e bardha me xhubleta të zeza, me këpucët e holla prej lëkure kafe në të kuqërremtë si dhe brezi i leshtë, gjithçka të bëra me duar dhe jo të stisura. Grupi i Belshit, që të kujton dhe veprat e Bogdanit, i cili e ka përmendur këtë traditë tek “Vallja Belshe” erdhi me këngën “Vjen zoga anësh fushës”.
Qarku i Beratit u ngjit në skenë me grupin e Urës Vajgurore dhe me atë të Skraparit. Grupi i Urës Vajgurore e nisa programin e tij me këngën që i kushtohej shpalljes së pavarësisë kombëtare, e cila ndihej e gjallë në vargjet “ Vijmë nga Berati/ Ky qytet i gurit/ Vijmë në Vlorën tonë/ Vlorën e Flamurit” apo “Rrofsh moj Vlorë me pallë / Që linde Smail Qemalë/ Diplomatë me mënçuri/ Ngriti Flamur’n kuq e zi”.
Ndërsa grupi i Skraparit, spikati me këngët e tij, që të kujtonin Demir Zykon, të cilit i këndonin këngën “Mbete i gjallë në këngë” si dhe “Dola një ditë në Pazar”. Qarku i fundit ishte ai i Vlorës, që ndryshe nga grupet e mëparshme, të cilat këndonin iso-polifoni, Vlora u fut në dallgën e Polifonisë. Grupi i parë i përzgjedhur ishte ai i Trevllazrit. Djemtë e këtij grupi, me tirq dhe jelekë të zinj të qëndisur si dhe me mëngore e hapën programin me një këngë të fortë epike kushtuar burrave të kombit “Të shoç të zot e Vatanit/ Djemtë e Ismail Qemalit / Të Skënderbej kapedanit”. Po aq epike ishin dhe këngët e kënduara nga grupi Djemve të Delvinës, sidomos kënga “Për pavarësinë luftën nisi”, e cila i kushtohej Sulejman Bej Delvinës, Grupi polifonik i Himarës, si gjithmonë, lëshoi xixa bregdeti, stërkala valësh në këngët polifonike “Moj Fotinë pikë loti”, si dhe këngën “Ne paqe kemi dhuruar” si dhe “Zura një mike suljote. Po në qarkun e Vlorës hyn dhe Saranda që erdhi në këtë festival me grupin polifonik “Dea”, i cili këndoi këngët “Mamarja drenushe”, “Ti moj vajza mërgimtare” dhe “Dil moj të daltë rrënja”.
Po aq të fuqishme ishin dhe këngët e grupit nga Vlora “Bilbilat e Labërisë”, të cilët i bënë himnin ngjarjeve të historisë dhe të nëntorit kuq e zi të shqiptarëve. Jashtë konkurrimit për të përshëndetur kishte ardhur nga Athina e Greqisë dhe grupi polifonik lab “Vëllazërimi”, i cili është krijuar qysh në vitin 2004 nga një grup mërgimtarësh shqiptar në Athinë.
Përshëndeti festivalin, gjthashtu dhe grupi “Shqipet “ i ardhur nga Tirana, ku spikati kënga me çifteli “Në Dardani bien tupanat”, i cili u duartrokit gjatë nga të pranishmit.
Grupi i jurisë me kryetare Prof.Dr. Yllka Selimi, dhe me dy nënkryetarët Prof.As.Dr. Bardhosh Gaçe e Naxhi Kasoruko – muzikolog, shpërndau diploma mirënjohjeje dhe respekti për korifenjtë e iso-polifonisë, që nuk ndodhen më midis nesh, si për Demir Zyko, këngëtarin e Skraparit, Neço Muko, vjershëtorin e Himarë, që spikat me perlën “Vajzën e valëve… Diplomë mirënjohjeje mori dhe Arap Çololeskaj, për vallen e Vranishtit. Iu ndanë diploma shumë grupeve pjesëmarrës si: grupi i burrave të Belshit, Grupi i Ballshit, grupi i Urës Vajgurore, dhe individëve të ndryshëm si Behar Harkaj, grupi çam i Fierit, Nesim Memo, Skrapar, etj.
Çmimin e tretë e fitoi grupi Himarës-Vlorë,
çmimin e dytë grupi “Gratë e Kolonjës”-Korçë,
çmimin e parë grupi “Ergjëria”-Gjirokastër.
Image here:Duhet thënë se për grupin, fitues i vendit të parë, “Ergjëria”, Bashkia Vlorë akordoi çmimin “Haxhi Dalipi”, një figurë e shquar e kulturës popullore, jo vetëm e qytetit të Vlorës (e ka shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës) por në gjithë vendin.

Ky Festival, ndërsa vjeshta hedh gjethe, çel lule, duke i dhënë Vlorës gjallërinë e pranverës shqiptare që po agon për kombin tonë.

You may also like...