NJOFTIM Mbi mbështetjen financiare për nxënësit ekselentë në shkollat publike të Bashkisë Vlorë
NJOFTIM
Mbi mbështetjen financiare për nxënësit ekselentë në shkollat publike të Bashkisë Vlorë
Mbi mbështetjen financiare për nxënësit ekselentë në shkollat publike të Bashkisë Vlorë
Në mbështetje të nenit 8, nenit 9, pika 1/1.1, shkronja “b”, nenit 23, pika 12, nenit 24, nenit 54 dhe nenit 55 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”; nenit 22, pika 2 të ligjit nr. 69/2012, i ndryshuar “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, Vendimit nr. 27, datë 28.02.2026 të Këshillit Bashkiak “Për zgjerimin e fashës së nxënësve ekselentë të përfshirë në bonusin e ekselencës për vitin 2026” si dhe Vendimit nr.100, datë 23.12.2025 “Për miratimin e Buxhetit të Bashkisë Vlorë për vitin 2026”,
Bashkia Vlorë njofton se vijon programin e saj të mbështetjes financiare për nxënësit ekselentë, me qëllim nxitjen e arritjeve të larta në arsim dhe motivimin e të rinjve për rezultate të shkëlqyera.
Nëpërmjet dhënies së këtij stimulimi, synohet rritja e dëshirës për të mësuar, zhvillimi i nivelit intelektual, si dhe zgjerimi i mundësive për përfshirje në jetën kulturore dhe sportive të komunitetit. Ky program kontribuon gjithashtu në formimin e plotë të personalitetit të nxënësve dhe në promovimin e vlerave të dijes dhe përkushtimit.
RISI PËR VITIN AKTUAL
Për herë të parë, në këtë skemë mbështetjeje përfshihen edhe nxënësit e klasave të VII dhe IX, duke zgjeruar kështu bazën e përfituesve dhe duke inkurajuar ekselencën që në ciklet më të hershme të arsimit parauniversitar.
Në këtë kuadër, Bashkia Vlorë do të mbështesë çdo vit me bursa nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme publike në territorin e saj, të cilët përfundojnë vitin shkollor me të gjitha notat 10 (dhjeta).
Bonusi i nxënësve cilësorë është vetëm për nxënësit që frekuentojnë aktualisht klasat VII–IX në shkollat 9-vjeçare, si dhe klasat X–XII në shkollat e mesme, të cilët vitin paraardhës e kanë përfunduar me notë mesatare vjetore 10.00.
Dokumentacioni i nevojshëm për përfitimin e mbështetjes financiare
Shkollat duhet të dorëzojnë (konform numrit të nxënësve të raportuar më parë nga çdo shkollë) pranë Bashkisë Vlorë, dokumentacionin e mëposhtëm:
- Dëftesë të vitit paraardhës nga sistemi SMIP
- Shkresë përcjellëse ku janë listuar nxënësit e shkollës
- Certifikatë personale e tre muajve të fundit
- Certifikatë e gjendjes familjare
Afati përfundimtar i dorëzimit të dokumentacionit 20 Prill 2026
Bashkia Vlorë mbetet e angazhuar për të mbështetur dhe promovuar nxënësit me rezultate të shkëlqyera, duke investuar në të ardhmen e komunitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tij.





