SHPALLJE PËR VENDE TË LIRË PUNE
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
BASHKIA VLORË
DREJTORIA E BURIMEVE NJERËZORE
SHPALLJE PËR VENDE TË LIRË PUNE
(5 punonjës “Zjarrëfikës”
dhe
2 punonjës zjarrëfikës “Drejtues automjeti”)
Bazuar në Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Ligjin Nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë i ndryshuar, VKM-në nr. 520 datë 25.7.2019 “Për miratimin e rregullores për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin” dhe Ligjin nr. 152/2015 “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, Bashkia Vlorë shpall procedurat për vendet e lira të punës:
5 punonjës “Zjarrëfikës” niveli bazë
dhe
2 punonjës zjarrëfikës “Drejtues automjeti” niveli bazë
në drejtorinë e Mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin
Afati për dorëzimin e dokumentave:
18 Qershor 2026
Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin më sipër është:
a) marrjen e dorëzimin e shërbimit me përgjegjësi, duke kontrolluar pajisjet personale dhe të përbashkëta të shërbimit, njofton komandantin e shërbimit për mangësitë e vërejtura dhe ndihmon për eliminimin e tyre;
b) njohjen mirë të detyrës së tij funksionale, duke u përpjekur maksimalisht për aftësimin profesional, duke qenë në çdo kohë në gatishmëri të plotë, duke ditur mirë radhën e veprimeve dhe duke vepruar me shpejtësi dhe saktësi me marrjen e sinjalit për dalje në operacion;
c) marrjen e sinjalit të alarmit, vepron me shpejtësi dhe saktësi, si dhe pajiset me mjetet e tij personale dhe mjetet e nevojshme për operacionin. Pozicionohet në vendin e tij në automjet dhe raporton gatishmërinë e tij për lëvizje. Gjatë udhëtimit për në vendngjarje komunikon me komandantin e shërbimit për të eliminuar ndonjë mangësi të vërejtur;
ç) pozicionimin në formacion luftimi, zbatimin e detyrave dhe të urdhrave drejtuesit të operacionit (DSHZ), duke vepruar profesionalisht;
d) bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me kolegët, si dhe me forcat e tjera operacionale që veprojnë në operacion. Për çdo problem të evidentuar raporton tek drejtuesi i operacionit; dh) të gjitha veprimet operacionale që kryen, dhënien prioritet ruajtjes dhe shpëtimit të jetës së njerëzve. Dhënien e “Ndihmës së Parë” kur kërkohet, të punojë në grup me zjarrfikësit e tjerë duke dhënë maksimumin e kontributit të tij në sigurinë e jetës së kolegut dhe shpëtimin e jetës së njerëzve.
1.1 KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATËT DHE KRITERET E VEÇANTA
Për këtë procedurë kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë kandidatët të cilët plotësojnë kërkesat:
Kushtet që duhet të plotësojë kandidati janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i/e aftë fizikisht për të kryer detyra me rrezik të shtuar;
ç) Të mos jetë i përjashtuar nga shërbimi zjarrfikës, Policia e Shtetit apo nga institucionet e tjera të administratës publike;
d) Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
dh) Të mos jetë i/e dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me dashje;
e) Të mos ketë rekorde kriminale në organet e policisë dhe prokurorisë (vërtetim personaliteti nga organet e policisë dhe prokurorisë).
ë) Të jetë i/e moshës nën 30 (tridhjetë) vjeç;
f) Të ketë përfunduar testimin fiziko-profesional dhe kursin përkatës pranë Akademisë së Sigurisë ose në qendra të trajnimit zjarrfikës;
g) Të jetë me vendbanim sa më pranë stacionit të MZSH-së;
gj) Për gjininë mashkullore personi duhet të jetë me gjatësi jo më pak se 175 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë) cm.
h) Për gjininë femërore, personi duhet të jetë me gjatësi jo më pak se 165 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë) cm.
i) Të jetë me peshë trupore që t’i përgjigjet raportit të gjatësisë.
j) Të jetë i pajisur me dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të grupit “C”;
k) Kandidati për personelin drejtues automjetesh zjarrfikëse dhe shpëtimi në shërbimin e MZSH-së duhet të jetë i pajisur me leje drejtimi automjeti, grupi “D”, si dhe me leje drejtimi të veçantë shërbimi, konform kërkesave të Kodit Rrugor. Kanë prioritet kandidatët që zotërojnë profesione si mekanik, shofer, hidraulik, marangoz, infermier, elektricist etj.
1.2 DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
a) Formular aplikimi;Kliko per ta shkarkuar
b) Fotokopje e kartës së identitetit;
c) Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit;
ç) Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “C”;
d) Certifikatë e gjendjes gjyqësore;
dh) Certifikatë familjare;
e) Vërtetim nga gjykata;
ë) Vërtetim nga prokuroria;
f) Raport mjeko-ligjor;
g) Fotokopje e librezës së punës;
gj) Dokument i lëshuar nga institucionet shëndetësore që vërteton se nuk është përdorues i
lëndëve narkotike
Aplikimi dhe dorëzimi i të gjitha dokumentave të cituara më sipër, do të bëhet në Bashkinë Vlorë.
Dokumentat e aplikimit duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti në institucion, brenda datës 18.06.2026 në adresën
Bashkia Vlorë
Sheshi “4 Heronjtë”
Vlorë, 9401
Shqipëri
Rezultatet për Fazën e Verifikimit Paraprak
Në përfundim të afatit të dorëzimit të dokumentacionit, Drejtoria e Burimeve Njerëzore Bashkia Vlorë do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në faqen e internetit të Bashkisë Vlorë, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe kriteret e aplikimit, të kërkuara më sipër si dhe për datën,vendin dhe orën e zhvillimit të procedurave.
Kandidatët e skualifikuar kanë të drejtë të ankimohen pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore të Bashkisë Vlorë. Afati i ankimimit është 5 (pesë) ditë nga data e shpalljes së rezultateve të verifikimit.
Fushat kryesore mbi të cilën bazohet konkurrimi
· Ligji nr. 139, date 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”
· Ligji nr. 152, datë 21.12.2015 ‘Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.
· VKM nr. 520 dt.25.07.2019 “Për miratimin e rregullores për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri ”.
Mënyra e Vlerësimit të Kandidatëve
Kandidatët që kualifikohen për të vazhduar procesin e pranimit në shërbimin e MZSH-së u nënshtrohen fazave të konkurrimit, sipas rendit të mëposhtëm:
a) Testim me shkrim;
b) Testim i aftësive fizike;
c) Intervistë me gojë;
ç) Testimi psikologjik;
d) Verifikim përfundimtar i aplikantit.
Procedura e konkurimit do të ndjekë këto faza:
Testimi me shkrim, shërben për të vlerësuar nëse aplikanti zotëron njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për kryerjen e detyrave të punonjësit të shërbimit të MZSH-së. Aplikantët që kanë marrë 70% të pikëve të përcaktuara për testin me shkrim, do të njoftohen për të vazhduar procesin e testimit të aftësive fizike.
– Testimi i aftësive fizike, teston aftësitë psiko-motore, ku përfshihen: shpejtësia, shkathtësia fizike, rezistenca, forca muskulare dhe koordinimi fizik, të domosdoshme për punën e punonjësit të shërbimit të MZSH-së. Aplikantët që kanë marrë mbi 60% të pikëve maksimale vazhdojnë procesin e testimit.
– Intervista me gojë konsiston në testimin e aftësitëve të aplikantit për të komunikuar qartë, për të shprehur ide dhe koncepte, si dhe për të analizuar e për të marrë vendime.
– Testimi psikologjik konsiston në vlerësimin e aftësive të kandidatit për të reaguar në mënyrën e duhur në kushtet e një stresi minimal;
Rezultati i përgjithshëm i aplikantit përcaktohet si shumatore e rezultatit të testimit me shkrim 50% dhe rezultatit të intervistës me gojë 50%.





