LIGJ Nr. 114/2015 PËR AUDITIMIN E BRENDSHËM NË SEKTORIN PUBLIK

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj rregullon veprimtarinë e auditimit të brendshëm në sektorin publik, si dhe përcakton
fushën e veprimit, misionin, parimet, organi-zimin, funksionimin dhe përgjegjësitë.
Neni 2
Auditimi i brendshëm
Auditimi i brendshëm është një veprimtari e pavarur që jep siguri objektive dhe ofron këshillim
për menaxhimin e projektuar për të shtuar vlerën e për të përmirësuar veprimtarinë e njësisë
publike.Auditimi i brendshëm ndihmon njësinë publike për të arritur objektivat, nëpërmjet një
veprimtarie të disiplinuar dhe sistematike, për të vlerësuar e përmirësuar frytshmërinë e
menaxhimit të riskut, si dhe proceset e kontrollit e të qeverisjes.
Neni 3
Fusha e zbatimit të ligjit
Ky ligj zbatohet në njësitë e sektorit publik, ku, sipas këtij ligji, përfshihen:
a) njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe çdo institucion tjetër që kryen funksione publike;
b) shoqëritë tregtare, organizatat jofitim-prurëse dhe autoritetet e përbashkëta, të cilat zotërohen,
kontrollohen, financohen ose garan-tohen financiarisht nga një njësi e qeverisjes së përgjithshme;
c) njësi të tjera që shpenzojnë fonde publike, sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare.
Neni 4
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Angazhimi i auditimit” i referohet një detyre specifike auditimi, detyrave të ndryshme të
auditimit ose rishikimit, proceseve dhe veprim-tarive, ku përfshihen shërbimet e sigurisë e të
këshillimit.
2. “Auditimi financiar” përfshin vlerësimin e saktësisë, plotësisë dhe ligjshmërisë së veprimeve
financiare.
3. “Auditimi i performancës” përfshin një vlerësim të ekonomisë, efektivitetit dhe eficiencës së
veprimtarisë dhe përdorimin e fondeve nga njësia e sektorit publik në përmbushjen e objektivave.
4. “Auditimi i përputhshmërisë” përfshin vlerësimin nëse veprimtaritë e njësisë së sektorit publik
janë në pajtim me ligjet, aktet nënligjore, aktet e brendshme dhe rregulloret.
5. “Auditimi i sistemit të kontrollit të brendshëm” përfshin një vlerësim në thellësi të
përshtatshmërisë dhe efektivitetit të kontrollit të brendshëm, si në sistemet financiare, ashtu dhe
në ato jofinanciare.
6. “Auditimi i teknologjisë së informacionit” përfshin vlerësimin e kontrolleve të menaxhimit në
infrastrukturën e teknologjisë së informacionit, në lidhje me ruajtjen e aseteve, integritetin e të
dhënave dhe operimin në mënyrë efektive për të arritur qëllimet dhe objektivat e njësisë publike.
7. “Auditues i brendshëm” është profesionisti i kualifikuar dhe i certifikuar sipas kërkesave të
përcaktuara në këtë ligj.
8. “Bordi i Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik” ka të njëjtin kuptim dhe funksionon sipas
përcaktimeve në ligjin “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”.
9. “Efektivitet” është masa në të cilën arrihen objektivat ose lidhja ndërmjet ndikimit të
planifikuar dhe ndikimit aktual për një aktivitet të caktuar.
10. “Eficiencë” është raporti më i mirë ndërmjet rezultateve dhe burimeve të përdorura për
arritjen e tyre.
11. “Ekonomi” është minimizimi i kostos së burimeve të përdorura për kryerjen e veprim-tarisë,
duke ruajtur cilësinë.
12. “Karta e Auditimit” është një akt administrativ që miratohet me urdhër të titullarit të njësisë
publike, në të cilën përcaktohen statusi organizativ, qëllimi, misioni, objektivat e punës,
përgjegjshmëria dhe përgjegjësitë e njësisë së auditimit të brendshëm.
13. “Kodi i Etikës” është një akt administrativ që miratohet me urdhër të titullarit të njësisë
publike, në të cilin janë të përcaktuara qartë rregullat e sjelljes dhe parimet që duhet të udhëheqin
punën e audituesve të brendshëm. Kodi i etikës i referohet Kodit të Etikës të publikuar nga
Instituti i Audituesve të Brend-shëm.
14. “Kontrolli i brendshëm” ka të njëjtin kuptim si në ligjin “Për menaxhimin financiar dhe
kontrollin”.
15. “Menaxhimi financiar dhe kontrolli” ka të njëjtin kuptim si në ligjin “Për menaxhimin
financiar dhe kontrollin”.
16. “Njësi të qeverisjes së përgjithshme” ka të njëjtin kuptim sipas përcaktimeve në ligjin “Për
menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.
17. “Standardet ndërkombëtare për auditimin e brendshëm” u referohen standardeve ndërkombëtare për praktikat profesionale të audituesve të brendshëm të Institutit të Audituesve të Brendshëm.
18. “Titullari i njësisë në shoqëritë tregtare” është organi përgjegjës për përcaktimin e politikave
të shoqërisë, sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.
19. “Titullar i njësisë publike” është kreu i organit qendror të njësisë publike. Në kuptim të këtij
ligji, titullar i njësisë publike që drejtohet me organ vendimmarrës kolegjial, por që nuk
organizohet si shoqëri tregtare, konsiderohet ky organ.
KREU II
MISIONI, ROLI DHE PAR IMET E AUDITIMIT TË BRENDSHËM
Neni 5
Misioni
Misioni i auditimit të brendshëm është të japë siguri të arsyeshme për titullarin e njësisë së
sektorit publik, në mënyrë të pavarur dhe objektive, si dhe këshilla për përmirësimin e
veprimtarisë dhe efektivitetin e sistemit të kontrollit të brendshëm në njësinë e sektorit publik.
Neni 6
Roli i auditimit të brendshëm
Roli i auditimit të brendshëm është t’i japë mbështetje titullarit të njësisë publike në arritjen e
objektivave të njësisë:
a) duke përgatitur planet strategjike dhe vjetore për auditimin e brendshëm, bazuar në vlerësimin
objektiv të riskut, si dhe kryerjen e auditimeve në përputhje me planin e miratuar;
b) duke vlerësuar përshtatshmërinë dhe efektivitetin e sistemeve e të kontrolleve, duke u
fokusuar kryesisht në:
i) identifikimin, vlerësimin dhe menaxhimin e riskut nga titullari i njësisë publike;
ii) përputhshmërinë e veprimtarisë së njësisë publike me kuadrin rregullator;
iii) ruajtjen e aseteve;
iv) besueshmërinë dhe gjithëpërfshirjen e informacionit financiar dhe operacional;
v) kryerjen e veprimtarisë së njësisë publike me ekonomi, efektivitet dhe eficiencë;
vi) përmbushjen e detyrave dhe arritjen e qëllimeve;
c) duke dhënë rekomandime për përmirësimin e veprimtarisë dhe efektivitetin e sistemit të
kontrollit të brendshëm të njësisë publike;
ç) duke ndjekur zbatimin e rekomandimeve të dhëna.
Neni 7
Parimet e përgjithshme të funksionimit të auditimit të brendshëm
Auditimi i brendshëm në sektorin publik ushtrohet dhe mbështetet mbi parimin e:
a) ligjshmërisë, i cili nënkupton respektimin e Kushtetutës, legjislacionit shqiptar dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë;
b) paanësisë, i cili nënkupton pasqyrimin objektiv, transparent dhe të vërtetë të të gjitha fakteve
dhe rrethanave, që lidhen me veprimtarinë e njësisë publike të audituar, pa u ndikuar nga interesi
personal ose pikëpamjet e të tretëve;
c) integritetit, i cili nënkupton ndershmëri, objektivitet, aftësi, shmangie e konfliktit të interesave
në ushtrimin e veprimtarisë audituese;
ç) pavarësisë dhe objektivitetit,i cili nënkupton pavarësi në ushtrimin e veprimtarisë audituese
dhe dhënien e mendimeve e të gjykimeve objektive gjatë kryerjes së auditimeve;
d) profesionalizmit dhe zhvillimit të vazhdue-shëm profesional, i cili kërkon zbatimin e
standardeve me kujdesin e duhur profesional, si dhe përpjekje të vazhdueshme për formimin e
zhvillimin profesional, rritjen dhe përmirësimin e njohurive të çdo audituesi;
dh) kompetencës, i cili nënkupton zotërimin dhe përdorimin e njohurive, aftësive dhe
eksperiencës së duhur në ushtrimin e veprimtarisë audituese;
e) konfidencialitetit, i cili nënkupton respektimin e fshehtësisë së të dhënave dhe dokumenteve të
administruara gjatë auditimit si konfidenciale.
KREU III
STANDARDET DHE METODOLOGJIA E AUDITIMIT TË BRENDSHËM
Neni 8
Standardet dhe metodologjia e auditimit të brendshëm
Veprimtaria e auditimit të brendshëm në sektorin publik duhet të kryhet në përputhje me:
a) standardet ndërkombëtare të auditimit të brendshëm, të pranuara për t’u zbatuar në Republikën
e Shqipërisë dhe të miratuara me urdhër të Ministrit të Financave;
b) këtë ligj dhe të gjitha aktet nënligjore bazuar në këtë ligj;
c) Kartën e Auditimit, Kodin e Etikës për audituesit e brendshëm, manualin e auditimit të
brendshëm, si dhe akte të tjera specifike për kryerjen e shërbimit të auditimit.
Neni 9
Llojet e shërbimeve të auditimit të brendshëm
Llojet e shërbimeve të auditimit të brendshëm janë shërbimet e sigurisë dhe shërbimet e
këshillimit si më poshtë:
1. Një angazhim auditimi për shërbimet e sigurisë përfshin një vlerësim të pavarur të qeverisjes,
menaxhimit të riskut dhe proceseve të kontrollit të një njësie të sektorit publik, nëpërmjet
auditimit të përputhshmërisë, auditimit të performancës, auditimit financiar, auditimit të
teknologjisë së informacionit dhe lloje të tjera të auditimit të brendshëm.
2. Një angazhim këshillimi përfshin dhënien e këshillave dhe opinioneve, me qëllim shtimin e
vlerës dhe përmirësimin e qeverisjes së njësisë së sektorit publik, përmirësimin e proceseve të
kontrollit dhe menaxhimit të riskut, në të cilat auditimi i brendshëm nuk ka përgjegjësi
menaxheriale. Një angazhim këshillimi iniciohet nga titullari i njësisë publike.
KREU IV
ORGANIZIMI I AUDITIMIT TË BRENDSHËM
Neni 10
Organizimi i shërbimit të auditimit të brendshëm
1. Të gjitha njësitë publike, të përfshira në nenin 3, të këtij ligji, duhet të marrin masa për
krijimin e shërbimit të auditimit të brendshëm, sipas formave të përcaktuara në vijim:
a) kryerja e shërbimit të auditimit të brendshëm nga njësia e auditimit të brendshëm, kur ka një të
tillë të parashikuar në strukturën organizative të njësisë publike;
b) kryerja e shërbimit të auditimit të brendshëm nga njësia e auditimit të brendshëm e
institucionit epror, në rastet kur në strukturën organizative të njësisë publike nuk është parashik
uar njësia e auditimit të brendshëm;
c) në rastet kur asnjë nga opsionet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, nuk
është i mundur të realizohet, shërbimi i auditimit të brendshëm kryhet nga njësia e auditimit të
brendshëm e një njësie tjetër publike, në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet titullarëve të njësive
publike përkatëse. Marrëveshja miratohet paraprakisht nga Ministri i Financave;
ç) kryerja e shërbimit të auditimit të brendshëm me kontraktim, sipas përcaktimeve të
legjislacionit në fuqi.
2. Njësia e auditimit të brendshëm është e pavarur funksionalisht dhe raporton në mënyrë të
drejtpërdrejtë tek titullari i njësisë publike.
3. Njësia e auditimit të brendshëm krijohet në përputhje me kriteret e miratuara me vendim të
Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave.
Neni 11
Punësimi i audituesit të brendshëm
1. Njësia e auditimit të brendshëm përbëhet nga auditues të brendshëm, që punësohen në
përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, si dhe në përputhje me
dispozitat e Kodit të Punës në njësitë publike që nuk janë pjesë e shërbimit civil.
2. Përveç kushteve të përgjithshme, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për punonjësit që
punësohen në njësinë e auditimit të brendshëm, kërkohet plotësimi i kushteve të posaçme si më
poshtë:
a) të kenë diplomë universitare të nivelit të dytë në shkencat ekonomike, juridike dhe disiplina të
tjera, sipas nevojave të sektorit që auditohet;
b) drejtuesi i njësisë së auditimit të brendshëm duhet të jetë i certifikuar si “Auditues i
brendshëm” dhe të ketë përvojë pune 5 vjet si auditues i brendshëm ose i jashtëm;
c) audituesi i brendshëm duhet të jetë i certifikuar si “Auditues i brendshëm” dhe të ketë përvojë
pune 5 vjet në profesion ose si auditues i brendshëm apo i jashtëm;
ç) punonjësi, që nuk zotëron certifikatën si “Auditues i brendshëm”, por ka përvojë pune 3 vjet
në profesion, punësohet në njësinë e auditimit të brendshëm dhe gjatë 2 viteve të para punon nën
mbikëqyrjen e eprorit të drejtpërdrejtë. Brenda kësaj periudhe ky punonjës duhet t’i nënshtrohet
detyrimisht procedurës së certifikimit si “Auditues i brendshëm”. Në rast se brenda këtij afati
punonjësi nuk certifikohet si “Auditues i brendshëm”, punonjësit i ndërpriten marrëdhëniet e
punës në njësinë e auditimit të brendshëm, të cilat konsiderohen se janë ndërprerë për shkak të
këtij ligji.
3. Punonjësit e strukturës përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm punë-sohen në
përputhje me përcaktimet e legjisla-cionit në fuqi për nëpunësin civil dhe sipas përcak-timeve të
shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 2, të këtij neni.
Neni 12
Përgjegjësitë e titullarëve të njësive publike
Titullarët e njësive publike janë përgjegjës për:
a) sigurimin e shërbimit të auditimit të brendshëm, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe
aktet e tjera nënligjore në zbatim të tij;
b) vendimmarrjen e krijimit të Komitetit të Auditimit të Brendshëm në njësinë publike përkatëse;
c) miratimin me urdhër të Kartës së Auditimit;
ç) miratimin e planit strategjik dhe vjetor të njësisë së auditimit të brendshëm;
d) hartimin, miratimin dhe ndjekjen e planit të veprimit, për zbatimin e rekomandimeve të lëna
në përfundim të procedurave të auditimit nga njësia e auditimit të brendshëm dhe/ose në
përfundim të procedurave të vlerësimit të cilësisë së auditimit nga struktura përgjegjëse për
harmonizimin e auditimit të brendshëm, brenda 30 ditëve nga data e dorëzimit të raportit
përfundimtar;
dh) vënien në dispozicion të të gjithë informacionit dhe dokumenteve të nevojshme që audituesi
kërkon për përmbushjen e angazhimit të auditimit;
e) evidentimin e rasteve të parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 22, të këtij
ligji, për të cilat informohet Ministria e Financave.
Neni 13
Komiteti i Auditimit të Brendshëm
1. Komiteti i Auditimit të Brendshëm është organ i pavarur, monitorues e këshillëdhënës për
titullarin e njësisë publike, si dhe mbështetës për njësinë e auditimit të brendshëm:
a) duke siguruar pavarësinë e audituesit të brendshëm;
b) duke vlerësuar dhe dhënë mendime për planin strategjik dhe vjetor;
c) duke vlerësuar përshtatshmërinë e burimeve të auditimit;
ç) duke siguruar një monitorim të zbatimit të planit dhe rezultateve të auditimit;
d) duke monitoruar zbatimin e rekoman-dimeve të dhëna;
dh) duke këshilluar për çështjet lidhur me risqet, sistemet e kontrollit të brendshëm e të auditimit.
2. Komiteti i Auditimit të Brendshëm, në ato njësi publike ku krijohet, e shtrin autoritetin për të
gjitha njësitë e varësisë.
3. Mënyra e funksionimit, kompetencat dhe përbërja e Komitetit të Auditimit të Brendshëm
rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave.
KREU V
TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E AUDITUESVE TË BRENDSHËM
Neni 14
Përgjegjësitë e drejtuesit të njësisë së auditimit të brendshëm
Drejtuesi i njësisë së auditimit të brendshëm është përgjegjës për:
a ) organizimin e angazhimeve të auditimit të brendshëm, sipas standardeve dhe metodologjisë së
miratuar në përputhje me nenin 8 të këtij ligji;
b) hartimin e Kartës së Auditimit, akteve të tjera specifike për fusha të veçanta të auditimit të
brendshëm, në zbatim të këtij ligji dhe akteve të tjera në zbatim të tij, si dhe dërgimin e tyre për
informacion në strukturën përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm;
c) hartimin dhe zbatimin e planit strategjik e vjetor për veprimtarinë e auditimit të brendshëm
dhe dërgimin për informacion në strukturën përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të
brendshëm, pas miratimit nga titullari i njësisë publike;
ç) përgatitjen e raportit vjetor, i cili i dërgohet strukturës përgjegjëse për harmonizimin e
auditimit të brendshëm dhe përmban të dhënat e mëposhtme, por nuk kufizohet vetëm në to:
i) angazhimet e auditimit, të kryer gjatë periudhës së raportuar;
ii) shmangiet nga plani, arsyet dhe argumentet përkatëse;
iii) vlerësimin e sistemeve të kontrollit brenda njësisë publike dhe për rekomandimet për
përmirësim;
iv) veprimet e ndërmarra nga titullari i njësisë publike për zbatimin e rekomandimeve, si dhe çdo
rekomandim të pazbatuar;
d) raportimin menjëherë në formë të shkruar tek titullari i njësisë publike dhe te Ministri i
Financave, i cili ka në varësi strukturën e inspektimit financiar publik, kur zbulon parregullsi apo
veprime, që në vlerësimin e njësisë së auditimit përbëjnë vepër penale.
Neni 15
Të drejtat e audituesve të brendshëm
Audituesit e brendshëm, në kryerjen e misionit të tyre, kanë të drejtat e mëposhtme:
a) të ushtrojnë në mënyrë të pavarur funksionin e auditimit, pa lënë hapësirë për ndërhyrje nga
kolegët, mbikëqyrësit, drejtuesit e njësisë së auditimit apo pala e audituar, me përjashtim të
marrëdhënieve të ndërsjella të këshillimit;
b) të kërkojnë dhe të sigurojnë të gjitha të dhënat me karakter teknik, ekonomik e financiar dhe
menaxherial të njësisë që auditohet, duke marrë përsipër ruajtjen e fshehtësisë së tyre, sipas
legjislacionit në fuqi;
c) të marrin nga punonjësit e njësisë së audituar, për rastet që gjykohet e nevojshme, shpjegime,
deklarata dhe fotokopje të dokumenteve, në të cilat titullari i njësisë publike të audituar ka vënë
shënimin “e njëjtë me origjinalin”, si dhe materiale të transportueshme, në formë elektronike, që
janë subjekt i auditimit të brendshëm;
ç) të kenë kushtet e nevojshme, zyrë dhe pajisje logjistike të përshtatshme për ushtrimin e
veprimtarisë së auditimit, kur auditimi kryhet jashtë ambienteve të njësisë publike;
d) të ndjekin, në mënyrë periodike, trajnimin e vijueshëm profesional, sipas kërkesave të nenit 20
të këtij ligji;
dh) t’i paraqesin kërkesën drejtuesit të njësisë së auditimit për heqjen dorë nga një veprimtari
auditimi, kur vlerësojnë se për shkaqe të argumentuara cenohen besueshmëria dhe cilësia e
auditimit ose në rastet kur veprimtaria audituese është në kushtet e konfliktit të interesit.
Neni 16
Përgjegjësitë e audituesve të brendshëm
Përgjegjësitë e audituesve të brendshëm janë:
a) të njohin, të respektojnë dhe të ushtrojnë veprimtarinë audituese në përputhje me aktet ligjore
e nënligjore në fuqi, si dhe me standardet ndërkombëtare, të pranuara, të auditimit të brendshëm;
b) të ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë objektive dhe me profesionalizëm;
c) të veprojnë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Kodin e Etikës, Kartën e Auditimit dhe
rregullat për konfidencialitetin për audituesin e brendshëm;
ç) të kryejnë auditime në mënyrë të pavarur, duke u udhëhequr nga interesi publik, për të forcuar
besimin në ndershmërinë, paanësinë dhe efektivitetin e shërbimit;
d) të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave, fakteve apo rasteve të gjetura gjatë kryerjes së
auditimit apo të lidhur me të, si dhe të ruajnë dokumentet për çdo angazhim auditimi të kryer,
bazuar në detyrimet, që rrjedhin nga ligjet në fuqi për të drejtat e përdorimit dhe të arkivimit të
informacionit zyrtar;
dh) të përditësojnë rregullisht njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale, në mënyrë që t’i përdorin
ato me efikasitet dhe për të garantuar cilësinë e shërbimit;
e) të japin rekomandime për njësinë e audituar për përmirësimin e veprimtarisë, efektivitetin e
sistemit të kontrollit të brendshëm, si dhe për masat që duhen ndërmarrë në rastet e konstatimit të
dëmeve ekonomike e financiare për zhdëmtimin e tyre dhe për të ulur mundësinë e përsëritjes;
ë) të raportojnë menjëherë te drejtuesi i njësisë së auditimit kur zbulohen parregullsi apo
veprime, që në vlerësimin e audituesve të brendshëm përbëjnë vepër penale.
Neni 17
Kufizimet në veprimtarinë e audituesve të brendshëm
Audituesve të brendshëm u ndalohet:
a) të përfshihen në kryerjen e funksioneve dhe veprimtarive të tjera të njësisë publike, përveç
veprimtarisë audituese;
b) të mbajnë një mandat politik apo të jenë zgjedhur në funksione drejtuese në strukturat e
partive politike;
c) të ushtrojnë çdo veprimtari ose punë tjetër me pagesë apo të kenë përfitime të tjera të natyrave
dhe formave, që krijojnë gjendje konflikti interesash me ushtrimin e auditimit, me përjashtim të
mësimdhënies dhe publikimit, sipas rregullave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për
nëpunësin civil.
Neni 18
Konflikti i interesave për audituesit e brendshëm
1. Audituesi njofton paraprakisht, me shkrim, drejtuesin e njësisë së auditimit të brendshëm për
çdo konflikt të mundshëm interesi, në përputhje me legjislacionin përkatës e që rrjedh nga
pjesëmarrja e tij në auditimin e një njësie publike.
2. Me konflikt interesash në veprimtarinë e auditimit, përveç rasteve të parashikuara nga
legjislacioni në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave, kuptohet edhe:
a) punësimi gjatë 3 viteve të fundit në njësinë publike që do të auditohet, me përjashtim të
funksionit të audituesit të brendshëm;
b) punësimi në funksione drejtuese gjatë 3 viteve të fundit në njësinë publike që do të auditohet
të bashkëshortes/bashkëshortit, të të afërmve me lidhje gjinie deri në shkallën e dytë, sipas
përcaktimeve të bëra në Kodin Civil;
c) zotërimi nga audituesi, bashkëshortja/ bashkëshorti, të afërmit, me lidhje gjinie deri në
shkallën e dytë, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin Civil, i aksioneve ose pjesëve të kapitalit në
njësinë publike që do të auditohet.
KREU VI
KRITERET E KUALIFIKIMIT TË AUDITUESVE TË BRENDSHËM
Neni 19
Certifikimi i audituesve të brendshëm
1. Certifikimi i audituesve të brendshëm organizohet nga struktura përgjegjëse për harmonizimin
e auditimit të brendshëm, sipas procedurës së miratuar me urdhër të Ministrit të Financave.
2. Të drejtën për të aplikuar në procesin e certifikimit e kanë individët e klasifikuar në shkronjën
“ç”, të pikës 2, të nenit 11, të këtij ligji.
3. Individët, që zotërojnë një certifikatë profesionale, të njohur ndërkombëtarisht, në fushën e
auditimit të brendshëm, i nënshtrohen një procedure specifike certifikimi, të përcaktuar në
urdhrin e nxjerrë sipas pikës 1 të këtij neni.
4. Certifikata “Auditues i brendshëm në sektorin publik” lëshohet nga Ministri i Financave.
Neni 20
Trajnimi i vijueshëm profesional i audituesve të brendshëm
1. Trajnimi i vijueshëm profesional organizohet nga struktura përgjegjëse për harmonizimin e
auditimit të brendshëm, sipas procedurës së miratuar me urdhër të Ministrit të Financave.
2. Të gjithë audituesit e certifikuar në detyrë, të përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 2, të
nenit 11, të këtij ligji, i nënshtrohen trajnimit të vijueshëm profesional, të paktën 80 orë në dy
vjet.
3. Audituesit të brendshëm në detyrë i njihet si trajnim i vijueshëm profesional pjesëmarrja në
trajnime për auditimin e brendshëm, të organizuara nga institucione kombëtare ose
ndërkombëtare, si dhe publikime në fusha që lidhen me auditimin e brendshëm, të cilat
raportohen dhe njihen sipas procedurës së përcaktuar në urdhrin e nxjerrë sipas pikës 1 të këtij
neni.
Neni 21
Komisioni i Kualifikimit të Audituesve të Brendshëm
1. Komisioni i Kualifikimit të Audituesve të Brendshëm është përgjegjës për mbikëqyrjen e
procesit të certifikimit dhe trajnimit të vijueshëm profesional të audituesve të brendshëm.
2. Mënyra e organizimit, funksionimit dhe përbërja e Komisionit të Kualifikimit të Audituesve të
Brendshëm përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të
Financave.
3. Masa e shpërblimit të anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit të Audituesve të Brendshëm
miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave.
Neni 22
Çregjistrimi i audituesit të brendshëm
1. Çregjistrimi nga Regjistri Kombëtar i audituesit të brendshëm bëhet në rastet kur:
a) audituesi i brendshëm në detyrë nuk ka ndjekur trajnimin e vijueshëm profesional të
përcaktuar në nenin 20, të këtij ligji, pas shqyrtimit të çdo rasti nga Komisioni i Kualifikimit të
Audituesve të Brendshëm;
b) vërtetohet se ai ka marrë pjesë në një ose më shumë auditime në kushtet e konfliktit të
interesit, siç parashikohet në pikat 1 dhe 2, të nenit 18, të këtij ligji;
c) ka një vendim gjykate të formës së prerë në të cilin është vendosur ndalimi i ushtrimit të
funksioneve publike.
2. Komisioni i Kualifikimit të Audituesve të Brendshëm i propozon Ministrit të Financave rastet
e çregjistrimit të audituesit të brendshëm nga Regjistri Kombëtar kur verifikohet rasti i
parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni.
3. Titullari i njësisë publike i propozon Ministrit të Financave rastet e çregjistrimit të audituesit të
brendshëm nga Regjistri Kombëtar kur verifikohen rastet e parashikuara në shkronjat “b” e “c”,
të pikës 1, të këtij neni.
4. Çregjistrimi nga Regjistri Kombëtar i një audituesi të brendshëm sjell ndërprerjen e
marrëdhënieve të punës në njësinë e auditimit të brendshëm, të cilat konsiderohen që janë
ndërprerë për shkak të këtij ligji.
KREU VII
BASHKËRENDIMI DHE HARMONIZIMI I AUDITIMIT TË BRENDSHËM
Neni 23
Përgjegjësitë e Ministrit të Financave
Ministr i i Financave është përgjegjës për:
a) bashkërendimin e përgjithshëm, harmoni-zimin dhe monitorimin e veprimtarisë së auditimit të
brendshëm në njësitë e sektorit publik, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji;
b) përcaktimin e kritereve për ngritjen e njësive të auditimit të brendshëm dhe komiteteve të
auditimit në sektorin publik, duke i propozuar Këshillit të Ministrave nxjerrjen e aktit nënligjor
për këtë qëllim;
c) miratimin e politikave, manualeve, procedurave, udhëzimeve dhe rregulloreve të auditimit të
brendshëm për përshtatjen dhe përafrimin e tyre me standardet ndërkombëtare, të pranuara, të
auditimit të brendshëm;
ç) emërimin dhe lirimin nga detyra të anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit të Audituesve të
Brendshëm, sipas të nenit 21 të këtij ligji;
d) paraqitjen në Këshillin e Ministrave, brenda muajit maj të çdo viti,të raportit vjetor për
auditimin e brendshëm, si pjesë e raportit vjetor të konsoliduar për kontrollin e brendshëm në
sektorin publik.
Për të ushtruar këto përgjegjësi, Ministri i Financave mbështetet nga Bordi i Kontrollit të
Brendshëm Financiar Publik dhe struktura përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të
brendshëm në Ministrinë e Financave.
Neni 24
Përgjegjësitë e strukturës përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm
Struktura përgjegjëse e harmonizimit për auditimin e brendshëm ushtron këto funksione:
a) zhvillon, administron dhe zbaton strategjinë e harmonizuar në fushën e auditimit të brendshëm
publik, si dhe e monitoron këtë veprimtari në nivel kombëtar;
b) harton dhe propozon përmirësimin e legjislacionit kryesor dhe mbështetës për auditimin e
brendshëm në sektorin publik;
c) harton dhe propozon politikat, manualet, procedurat, udhëzimet dhe rregulloret për auditimin e
brendshëm për përshtatjen dhe përafrimin e tyre me standardet ndërkombëtare, të pranuara, të
auditimit të brendshëm;
ç) përgatit dhe administron planin e konsoliduar strategjik e vjetor të veprimtarisë së auditimit të
brendshëm në njësitë publike;
d) paraqet, brenda muajit maj të çdo viti, te Ministri i Financave raportin për funksionimin e
auditimit të brendshëm në sektorin publik, pjesë e raportit vjetor të konsoliduar për kontrollin e
brendshëm në sektorin publik;
dh) harton dhe zbaton manualin për vlerësimin e cilësisë, e cila përfshin procesin e monitorimit
dhe vlerësimit në mënyrë periodike të veprimtarisë së njësive të auditimit të brendshëm, në
përputhje me standardet ndërkombëtare, të pranuara, të auditimit të brendshëm;
e) administron metodat e hartuara, në mbështetje të manualit të auditimit, për fusha specifike të
auditimit të brendshëm, të paraqitura nga njësitë e auditimit të brendshëm;
ë) analizon rekomandimet e dhëna në raportet vjetore të njësive të auditimit të brendshëm;
f) harton, zhvillon dhe administron politikat kombëtare për certifikimin e audituesve të
brendshëm, si dhe trajnimin e vijueshëm profesional të audituesve të brendshëm, në bazë të
praktikave bashkëkohore në fushën e auditimit të brendshëm;
g) harton dhe përditëson Regjistrin Kombëtar të audituesve të brendshëm të certifikuar.
KREU VIII
DISPOZITA Të TJERA
Neni 25
Marrëdhëniet me Kontrollin e Lartë të Shtetit
1. Struktura përgjegjëse e harmonizimit për auditimin e brendshëm dhe njësitë e auditimit të
brendshëm bashkëpunojnë me Kontrollin e Lartë të Shtetit bazuar në parimet e komunikimit të
vazhdueshëm, angazhimit, mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë.
2. Mbi bazën e këtyre parimeve, fushat kryesore të bashkëpunimit janë:
a) shkëmbimi i planit të konsoliduar të auditimit, me synim shmangien e mbivendosjeve;
b) shkëmbimi i informacionit dhe i raporteve të auditimit;
c) zhvillimi i metodologjive të auditimit dhe trajnimi i përbashkët.
Neni 26
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të
miratojë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 10, 13 dhe 21 të tij.
2. Ngarkohet Ministri i Financave që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë
aktet nënligjore në zbatim të neneve 19 dhe 20 të tij.
Neni 27
Shfuqizimet
1. Ligji nr. 9720, datë 23.4.2007, “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, i ndryshuar,
shfuqizohet.
2. Deri në hyrjen në fuqi të akteve nënligjore, sipas nenit 26, të këtij ligji, aktet nënligjore të
nxjerra në zbatim të ligjit nr. 9720, datë 23.4.2007, “Për auditimin e brendshëm në sektorin
publik”, të ndryshuar, zbatohen për aq sa nuk bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
Neni 28
Dispozitë kalimtare
Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, pushojnë funksionet e Komitetit të Auditimit të
Brendshëm.
Neni 29
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 22.10.2015
Shpallur me dekretin nr. 9309, datë 6.11.2015 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar
Nishani

You may also like...