NJOFTIM PUBLIK Mbi zhvillimin e Mbledhjes së Komisionit Vendor për Sigurinë Publike në Bashkinë Vlorë

NJOFTIM PUBLIK
Mbi zhvillimin e Mbledhjes së Komisionit Vendor për Sigurinë Publike në Bashkinë Vlorë
Më datë 1 gusht 2025, në ambjentet e Pallatit të Kulturës “Labëria” Vlorë, u zhvillua mbledhja e
Komisionit Vendor për Sigurinë Publike, në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.
678 datë 30.10. 2024” Për përbërjen, rregullat më të hollësishme të organizimit dhe funksionimit
të këshillave vendorë të sigurisë publike dhe këshillit kombëtar për sigurinë në komunitet”.
Gjatë mbledhjes së KVSP-së, të Bashkisë Vlorë, u zhvilluan këto pika kryesore:
•Konstituimi i Komisionit të ri;
•Diskutimi mbi draft-Rregulloren e Organizimit dhe Funksionimit të Komisionit;
•Analiza e situatës së zjarreve në territor dhe problematikat e evidentuara gjatë sezonit turistik.
Në këtë mbledhje, u analizuan situatat e ndodhura, për të ndërtuar një mekanizëm të
qëndrueshëm pune që përfshin:
•vlerësimin dhe përmirësimin e planeve të sigurisë publike;
•menaxhimin më të mirë të emergjencave;
•parandalimin e dukurive shqetësuese si dhuna në familje dhe trafiku i pakontrolluar,
•garantimin e sigurisë në shkolla, në mjediset publike dhe në zonat rurale.
KVSP-ja diskutoi në lidhje me sfidat që shfaqen çdo verë në territorin tonë: zjarret në sipërfaqe
të pyllëzuara; bujqësore dhe kullosore.Përveç zjarreve, diskutimi vijoi dhe mbi detyrat dhe sfidat
që lidhen me parandalimin e kriminalitetit, sigurinë në shkolla, qetësinë publike, ndihmën ndaj
kategorive në nevojë dhe sigurinë rrugore.
U theksua nevoja për përmirësimin e koordinimit ndërmjet strukturave vendore dhe atyre të
emergjencave civile, si dhe për ndërgjegjësimin e komunitetit mbi masat parandaluese.
Kryetari i Bashkisë,z. Ermal Dredha, njëkohësisht dhe Kryetar i KVSP -së, gjatë fjalës së tij, u
shpreh se :“ Ky komision nuk mund dhe nuk duhet të jetë thjesht një organ raportimi. Duhet të
bëhet zëri i bashkërenduar i veprimit në territor. Dhe që ta arrijmë këtë, na duhet të ndajmë një
kulturë të re bashkëpunimi, ku për çdo shqetësim, për çdo problem, kemi një kanal komunikimi
të hapur dhe një përgjigje të përbashkët”.
Në kuadër të misionit të tij, Komisioni synon të forcojë sigurinë publike, të përmirësojë
bashkëpunimin ndërinstitucional dhe të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për parandalimin e
rreziqeve në komunitet. Pritshmëritë janë që ky mekanizëm të funksionojë si një urë efektive
komunikimi dhe veprimi mes institucioneve dhe qytetarëve.
Komisioni do të vijojë takimet në mënyrë periodike dhe do të angazhohet për të ndjekur zbatimin
e masave të propozuara gjatë kësaj mbledhjeje.
BASHKIA VLORË