Kryetarja

Dr. Brunilda Mersini është një grua që ka ndërtuar karrierën e saj mbi pasionin për jetën dhe për kujdesin ndaj njerëzve. Doktoreshë shkencash në mjekësi dhe specialiste në obstetrikë-gjinekologji, ajo ka zgjedhur të jetë aty ku fillon jeta dhe ku përgjegjësia merr formën më të pastër.

Prej vitit 2014, ka drejtuar Spitalin Rajonal të Vlorës, duke e kthyer sfidën e përditshme të menaxhimit shëndetësor në një mision njerëzor. Me vendosmëri dhe përkushtim, Dr. Mersini ka udhëhequr ekipet mjekësore dhe administrative drejt shërbimeve më cilësore, duke i dhënë spitalit frymën e një institucioni që rritet dhe ndryshon për të mirën e pacientëve.

Si mjeke gjinekologe dhe pedagoge, ajo i ka dhënë zemër profesionit. Ka trajnuar breza të rinj mjekësh e infermierësh, duke i frymëzuar jo vetëm me dije shkencore, por edhe me vlerat e humanizmit dhe përkushtimit që e karakterizojnë.

Përtej klinikës dhe auditorit, Dr. Mersini ka kontribuar edhe në jetën publike, si anëtare e Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut Vlorë, duke mbështetur politika dhe vendime që prekin drejtpërdrejt shëndetin e komunitetit.

Aktualisht është zgjedhur Kryetare e Bashkisë së Vlorës, për të punuar me të njëjtin përkushtim që ka ndërtuar jetën profesionale për më shume se tre dekada. Me vendosmërinë e spikatur, frymën e bashkëpunimit, vizionin për ta zhvilluar qytetin në të gjitha dimensionet e tij dhe mbi gjithçka, me dashurinë e pakushtëzuar për Vlorën, Dr. Mersini ka ardhur në krye të qytetit për ta çuar në një nivel ku nuk ka qenë më parë, duke rritur vëmendjen ndaj jetës së përditshme dhe projekteve të mëdha të qeverisë shqiptare që e kanë tjetërsuar Vlorën, në çdo nivel.